Dialogu social, pjesë përbërëse e Kushtetutës së re të Kosovës

Dialogu social, negocimi në mes partnerëve social, përfaqësues të punëdhënësve, punëtorëve dhe organizatave qeveritare është një nga shtyllat e modelit të demokracisë europiane. Në Union Europian ky është proces i obligueshëm në ligjëvënje dhe politikëbërje në lëminë e çështjeve sociale dhe ka një traditë mbi njëzetvjeqare. Unioni Europian në Traktatin e vitit 2004 për Kushtetutën që dështoi për tu ratifikuar nga vendet anëtare njihte dhe promovonte rolin e partnerve social, duke marr parasysh llojllojshmërinë e sistemeve nacionale dhe duke rrespektuar autonominë e tyre. Procesi i përpilimit të Kushtetutës së re të Kosovës është shansi më i mirë për të konsoliduar “acquis” tonë dhe për ta përafruar me atë të Unionit Europian.

Vlerësimi i drejtë i rolit të pamohueshëm të partnerëve social në procesin e themelimit dhe zhvillimit të shtetit të Kosovës është domosdoshmëri. Dialogu social është mënyra më e mirë e njohjes, vlerësimit, zhvillimit dhe afrimit të partnerëve për të siguruar një jetë në mirëqenje, paqe, me bashkëpunim të përhershëm dhe me perspektivë të qartë për të gjithë.

Promovimi dhe mirëmbajtja e paqes sociale nga Partnerët social (BSPK dhe OEK) gjatë procesit të shtetëformimit është një kontribut i madh i cili është bërë me vetëdije të plotë dhe sakrifica të vazhdueshme.
Qeveria dhe Parlamenti i kaluar kanë praktikuar një nivel shumë të ulët të dialogut social me rastin e negociatave, përpilimit të ligjeve, strategjive, politikave dhe përpilimit, shpërndarjes dhe hargjimit të buxhetit gjë që në të ardhmen dëshirojmë ta përparojmë dhe zhvillojmë përmes Kushtetutës së re.

Praktikimi i nivelit të ulët të dialogut social u pa se ishte një bumerang për klasën politike në pozitë dhe se votuesit: punëtorët, punëdhënësit, nxënësit dhe studentët përmes votës së tyre treguan se duan ndryshime dhe se kanë nevojë për informim, konsultime, dëgjime, negocime, financim dhe marrveshje në nivele qendrore, lokale dhe sektoriale.

Propozoj që në preambulën e Kushtetutës së re si Ligj themelor për shtetin e bazuar në respektimin e lirive dhe drejtësisë, bashkëpunimit në mes të institucioneve, të përfshihet dialogu social për të konsoliduar dhe vazhdimisht përparuar të drejtat e qytetarëve dhe komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Mardhëniet ekonomike brenda shtetit të ardhëshëm të Kosovës propozoj që të rregullohen përmes definimit të zhvillimit të ekonomisë së tregut të bazuar në lirinë e aktiviteteve ekonomike, pronësisë private dhe solidaritetit, dialogut social dhe bashkëpunimit në mes të partnerëve social, e këto të paraqesin edhe bazën e sistemit ekonomik të ardhshëm që do të garantoj zhvillim të qëndrueshëm dhe paqe sociale.

Themelimi i Këshillit social dhe ekonomik, me Ligj të posaçëm, si trup këshillëdhënës kryesor për çështje sociale dhe ekonomike si një platforme e përhershme për zhvillimin e dialogut social, ku do të do të merrnin pjesë të gjithë partnerët social, do të ishte një ndihmë e madhe dhe e rëndësishme për Qeverinë dhe partnerët e saj.

Dialogu social i obligueshëm pra do të ishte në dobi të qytetarëve të Kosovës dhe në vend të luftës në mes klasave ai do të promovon dhe zhvillon dialogimin si instrument për rritjen e nivelit të gjithëpërfshirjes, bashkëpronësisë dhe mundësive të barabarta për të gjitha çështjet sociale.

Duke marr parasysh rëndësinë e Dialogut social dhe përfshirjen e tij në Kushtetutë , kontribut i vecant do të ipej në përafrimin e Kosovës me Unionin Europian dhe demokracitë tjera perëndimore. Kjo do të ndikoj edhe në përshpejtimin e aderimit të Kosovës në këtë familje të madhe të përparuar që rrespekton dhe vazhdimisht përmirëson të drejtat dhe liritë e njeriut dhe jep mundësi për të pasur punë dhe mirëqenje sociale për të gjithë. Për ekonominë kosovare është me rëndësi të madhe shansa për tu bërë pjesë e një tregu konkurues unik me përmasa gjigante ku besojmë se do të ketë hapsirë për zhvillim dhe biznes për të gjithë.

Qeveria e kaluar gadishmërinë e partnerëve social për paqe e ka keqpërdorur duke keqmenaxhuar me vendet dhe kohën e punës dhe shfrytëzuar Buxhetin e Kosovës për nevoja dhe interesa personale të individeve, partive politike si dhe duke keqpërdorur dhe përbuzur gadishmërinë e tatimpaguesëve për tu sakrifikuar për shtetin e tyre të ardhshëm.

Mundësi të mirë për të kontribuar me ide dhe propozime konkrete paraqet roundi i debateve që po i organizon “Grupi punues kushtetues” që në fakt është “Grupi punues për udhëheqjen e proçesit të përpilimit të Projekt Kushtetutës së Kosovës”, i themeluar para nënt muajve, me një “Vendim” të Kryetarit të Kosovës. Unë personalisht kam vërejtje për mënyrën jotransparente, diskriminuese dhe kundërkushtetuese të formimit të këtijë grupi. Vërejtja ka të bëjë me ate se nuk janë bërë publike kriteriumet dhe mënyra e delegimit dhe emrimit te anëtarëve të Grupit punues kështu që është shkelur “Korniza Kushtetuese për vetqeverisje të përkohshme në Kosovë”, Kreu 4; paragrafi 4.4; pika (ç).
Platforma elektronike e publikuar në internet në adresën www.kushtetutakosoves.info e cila është menduar për mbledhjen dhe shpërndarjen e informacioneve lidhur me procesin dhe mbarvajtjen e tijë është shumë e qëlluar por e varfër dhe me proçes vrebale shumë të dobëta nga tryezat e debatit me qytetarët.

Megjithate konsideroj se momentalisht më me rëndësi është që procesi të ec përpara dhe sa më parë Kosova të ketë në disponim një Kushtetutë moderne. Presim që Kushtetuta e re do të mundësoj funksionimin e një shteti efektiv dhe efiqient në të cilin do të kemi kënaqësinë për të punuar, jetuar dhe për ta lëne në trashëgim.

Ejup Qerimi inxh.i dipl.,
Sekretar i përgjithshëm i OEK

Comments

Popular posts from this blog

Your Website Is Not Just for People — It’s for Machines too

Welcome to the Digital Era of Optimization: A Beginner's Guide

Kosovo’s New Crypto Regulations: Aligning with MiCA