Ligji i ri i BE-së kërkon më tepër riciklim të baterive
Më 26 Shtator 2008 ishte afati i fundit për sjelljen në fuqi të Ligjeve, rregulloreve dhe masave administrative për vendet anëtare te BE si obligime që rrjedhin nga Direktiva 2006/66/EC lidhur me bateritë, akumulatorët si dhe mbeturinat e baterive dhe akumulatorëve.Estonia, Spanja, Lituania, Malta, Holanda, Austria dhe Sllovenia janë 7 nga 27 vendet anëtare të BE të cilat në kohë kanë bërë transpozimin e kërkesave dhe obligimeve që rrjedhin nga Direktiva 2006/66/EC në Ligjet e tyre nacionale. Komisioni Evropian kërkon që sa më parë të gjitha vendet anëtare të aprovojnë ligjet në të cilat është e transpozuar "Direktiva e baterive" nëse dëshirojnë që t'u shmangen dënimeve që mund t'u shqiptojnë organet e BE-së.
Direktiva në fjalë ka zëvendësuar Direktivën 91/157/EEC e cila nuk arriti që në mënyrë adekuate të vë në kontroll të gjitha rreziqet që lajmërohen në zingjirin e mbledhjes, riciklimit dhe deponimit të mbeturinave të baterive të përdoruara. Nga ky konkludim del se BE kishte nevojë për një kornizë homogjene të mbledhjes dhe reciklimit të mbeturinave të baterive. Posaçërisht nevojitej një qartësim sa i përket financimit të mbledhjes dhe reciklimit duke i vendosur në nivel të barabartë të gjithë akterët e involvuar në prodhimin, importimin, eksportimin, tregtimin, mbledhjen, riciklimin dhe deponimin e baterive.
Fushëveprimi i Direktives së re ka të bëjë me të gjitha bateritë dhe akumulatorët që plasohen në tregun e Komunitetit evropian me disa përjashtime të vogla. Të gjtha bateritë përmbajnë substanca të cilat disa më shumë e disa më pak e dëmtojnë ambientin. Ato përmbajnë edhe metale të cilat janë të riciklueshme kështu që me riciklimin e tyre mund të kontribohet në ruajtjen e resurseve natyrore. Mbledhja e të gjitha llojeve të baterive është treguar më efektive se skemat e veçanta të mbledhjes vetëm të baterive që përmbajnë Plumb (Pb), Zhivë (Hg) dhe Kadmium (Cd). Të gjitha këto metale janë të vlefshme por toksike andaj në BE klasifikohen si "mbeturina të rrezikshme".
Direktiva në fjalë ka për objektiv të mbrojë ambientin dhe të kontribuojë në funksionimin e mirë të "tregut të brendshëm" të BE. Kjo ndalon plasimin në treg të të gjitha llojeve të baterive që përmbajnë Zhivë (Hg), si dhe të baterive portative që përmbajnë Kadmium (Cd) me disa përjashtime. Prodhuesit e baterive, importuesit, distributorët duhet të regjistrohen në regjistrin nacional të "prodhuesve të baterive" me qëllim të identifikimit dhe pamundësimit të tregtimit me bateri për ato subjekte që nuk janë pjesë e skemave të mbledhjes dhe riciklimit të baterive. Distributorët e baterive portative duhet që konsumatorëve t'u mundësojnë që në afërsi të tyre të kthejnë mbrapa bateritë e përdorura, falas dhe pa obligim që të blejnë ndonjë bateri të re. Prodhuesit e baterive industriale si dhe prodhuesit e baterive për automjete janë të obliguar që t'i marrin mbrapa bateritë nga përdoruesit e fundit.
Cilat janë caqet e propozuara për mbledhjen e baterive të përdorura? Gjer në vitin 2012 duhet të mblidhen 25% të të gjitha baterive te përdoruara, ndërsa gjer më 2016 duhet të arrihet në 45%. Direktiva parasheh edhe rritjen e efiçiencës së riciklimit të baterive të plumbit deri në minimum 65% të peshës së tyre mesatare, ndërsa për bateritë Ni-Cd (Nikel-Kadmium) deri në 75% ndërsa për bateritë tjera gjer në 50%. Parashihet edhe trajtimi minimal i mbeturinave të baterive që nënkupton heqjen e fluideve dhe acideve nga bateritë duke specifikuar kushtet e trajtimit dhe deponimit të tyre.
Kush paguan për mbledhjen dhe riciklimin e baterive? Prodhuesit e baterive janë ata që duhet të paguajnë për mbledhjen dhe riciklimin e baterive. Me prodhues nënkuptohet subjekti nga vendi anëtar që brenda territorit të vendit furnizon ose ofron në disponim për palët e treta bateritë ose akumulatorët për herë të parë dhe në baza profesionale. Edhe fushatat për informimin e publikut për promovimin e mbledhjes, riciklimit dhe deponimit të baterive portative duhet t'i financojnë "prodhuesit e baterive". Të gjitha bateritë e mbledhura duhet të riciklohen (afati i fundit deri 26 Shtator 2009). Nga riciklimi përfitohen metalet të vlefshme që gjenden në përbërjen e baterive. Sot janë mjaft të zhvilluara teknologjitë dhe proceset e riciklimi të cilat kërkojnë shumë më pak energji se sa përfitimi i atyre metaleve të bëhet nga xehet. Përdorimi i Nikelit të ricikluar në bateri kërkon 75% më pak energji primare. Te riciklimi është marrë parasysh edhe efiçienca e procesit si dhe kushtet të cilat i determinon tregu, pra nëse tregu nuk paraqet kërkesë për produktet e riciklimit, atëherë bateritë mund të deponohen në deponitë e mbeturinave të ngurta komunale.
Direktiva harmonizon edhe kërkesat e produktit për bateritë duke vendosur restrikcione në përdorimin e Zhivës (Hg) në të gjitha bateritë si dhe Kadmiumit (Cd) në bateritë portative me disa përjashtime. Në të gjitha bateritë, akumulatorët dhe pakot e baterive duhet të vendoset simboli "Shporta për mbeturina, me rrota e kryqëzuar" e cila tregon se duhet të bëhet "mbledhja ndaras" e mbeturinave të baterive, akumulatorëve dhe pakove të baterive. Nëse përmbajtja e Plumbit (Pb), Zhivës (Hg) dhe Kadmiumit (Cd) në bateri është mbi nivelin e përcaktuar me Direktivë, atëherë simboli i metalit duhet të vendoset nën simbolin e Shportës së mbeturinave. Kjo dmth se akumulatorët dhe bateritë e përdorura nuk duhet të hidhen në konteiner të mbeturinave komunale por duhet të mblidhen ndaras dhe mandej të riciklohen. Obligohet edhe shënimi i Kapacitetit (C) në etiketë të të gjitha baterive me qëllim të harmonizimit të shënimit të kësaj karakteristike të baterive dhe mbrojtjes së konsumatorit (afati i fundit 26 Shtator 2009).
Nëse bateritë e ndonjë prodhuesi i plotësojnë kërkesat e paraqitura, Direktiva siguron se vendet anëtare nuk mund të ndalojnë plasimin e tyre në treg.
Gjendja në Kosovë?
Në Kosovë bateritë importohen nga vende të ndryshme dhe plasohen në treg, mandej ato blehen nga përdoruesit e fundit të cilët pas përdorimit ato i hedhin në konteinerët e mbeturinave komunale. Sa u përket baterive për automjete , "akumulatorëve të Plumbit" ato edhe te ne mblidhen e mandej eksportohen apo riciklohen duke iu falënderuar vlerës që kanë edhe si mbeturina. Përpos në automjete këta akumulatorë te ne gjenden edhe nëpër shtëpi banimi ku përdoren me invertor për ndriçim emergjent apo furnizim me energji elektrike për televizor apo aparate të tjera shtëpiake. Bateritë portative, bateritë e vogla ("AAA", "AA", "C", "D", etj., pakot e ndryshme të baterive) të të gjitha teknologjive (Zink-Carbon, Zink-Mangan dioksid, Nikel-Kadmium, Nikel-Metal Hidrid, Litium, Litium-jon, Plumb-Acid etj.) ato thjesht hidhen në konteinerët e mbeturinave komunale dhe përfundojnë në deponitë regjionale.
Konsideroj se Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor duhet që të marrë parasysh zhvillimet në BE në lëmin e baterive. Edhe te ne duhet që të përcaktohet mënyra e plasimit të baterive në treg si dhe të fillohet me skemat e mbledhjes, riciklimit dhe deponimit të tyre me qëllim të mbrojtjes së ambientit, shëndetit dhe konsumatorit kosovar.
Kosova Batteries sh.p.k.
Ejup Qerimi, inxh.i dipl., Drejtor
eqerimi@gmail.com
www.KosovaBiz.com
[1]
Comments